Article 690 380 image from ios  7  ok

Ndonjëherë është e nevojshme të llastosh veten, dhe teksa kalon momente të qeta brenda në shtëpi, ëmbëlsirat duken si zgjidhja e duhur! Ku ka më mirë se të gatuash vetë ëmbëlsirën tënde të preferuar, por duke qenë se jo të gjithë janë të mirë në kuzhinë, ndonjëherë duhen receta të lehta e të shpejta për të na shuar urinë dhe për të na argëtuar në lojën e ëmbël me sheqerin. E tillë është dhe receta për suflenë me çokollatë. Mblidh të gjithë përbërësit dhe aksesorët e kuzhinës që të duhen dhe dhuroji vetes një ëmbëlsirë të shijshme sot!

Përbërësit:

  • Çokollatë - 150 gr
  • Miell - 20 gr
  • Vezë - 2 të plota, 1 e verdhë
  • Sheqer pluhur - 90 gr
  • Gjalp - 80 gr
  • Kakao - 10 g
  • Vanilje

Për mbushjen e formave:  

  • Gjalp dhe sheqer kaf.

 

Të gjithë aksesorët e kuzhinës që të nevojiten në gatim mund t'i gjesh duke klikuar këtu.

 

Përgatitja:

Për të filluar nga puna, të duhet të shkrish çokollatën në banjomari dhe më pas t’i shtosh gjalpin. Në një enë rrih dy vezë të plota dhe një të verdhë me 90 gr sheqer pluhur, si fillim me rrahësen që përdoret me dorë e më pas me rrahësen elektrike (Të duhet një e tillë? Kliko këtu!), derisa masa të shkumëzohet. Shto brenda kremit të vezëve çokollatën. Trazo masën ngadalë dhe me anë të një site shto miellin dhe kakaon njëkohësisht. Vaniljen mund ta përdorësh si pluhur, por edhe si ekstrakt për një shije dhe aromë akoma më të fortë.

 

 

Ndërkohë që masa është gati për tu pjekur, merr tavat e vogla të qeramikës dhe i lyeji ato me gjalp dhe sheqer kaf. - ose kakao pluhur nëse nuk dëshiron të përdorësh sheqer. Mbushi enët me masën e përftuar, por bëj kujdes! Nuk duhet t’i mbushësh ato plot; sigurohu që të ketë rreth 4cm largësi ndërmjet masës dhe buzës së tavës së qeramikës. I gjithë brumi fryhet gjatë pjekjes.

 

 

Ndize furrën përpara, duke e ngrohur atë paraprakisht në temperaturën 180 gradë, gati për të pjekur suflenë përgjatë 15 minutave.

 

 

Këshillohet që ëmbëlsira të konsumohet e ngrohtë - maksimumi 2 minuta pas daljes nga furra. Mund t’i heqësh nga forma me kujdes dhe t’i shërbesh menjëherë! Nëse do të shtosh akoma më shumë dozën e ëmbëlsisë, shija e suflesë kombinohet mjaft mirë me pakëz akullore sipër!

 

Të bëftë mirë!