Shën Valentini është një ditë plot emocione dhe momente të bukura. Por kur nuk je përgatitur akoma për ditën më romantike të vitit, emocionet pozitive të pritjes, mund të kthehen mjaft lehtë në një stres të panevojshëm i cili akumulohet dita-ditës.

Shkurti njihet në të gjithë botën si muaji i ëmbël i dashurisë, dhe e gjitha kjo vetëm prej një dite të veçantë. Shën Valentini, dita në të cilën çdo çift i dashuruar feston dashurinë e tyre për njëri-tjetrin, është një ditë plot emocione dhe momente të bukura. Por kur nuk je përgatitur akoma për ditën më romantike të vitit, emocionet pozitive të pritjes, mund të kthehen mjaft lehtë në një stres i panevojshëm i cili akumulohet dita-ditës. Fundja jo të gjithë kanë lindur romantikë, dhe jo çdokush di të festojë njëlloj. Por me disa këshilla dhe “truke” të thjeshta, mbrëmja juaj e paplanifikuar mund të kthehet në një mbrëmje të këndshme, sidomos për ata që preferojnë të kalojnë momentet e tyre intime në ambientet e shtëpisë.

E kuqja mbizotëron gjatë Shkurtit. Ngjyra e pasionit dhe emocioneve të ngrohta të dashurisë është një ngjyrë e guximshme për tu përdorur në arredimin e shtëpisë, por duke u përdorur në detaje të vogla si jastekë, qirinj apo lule dekorative, ajo mund të krijojë atmosferën e duhur për të kaluar një mbrëmje të këndshme brenda.

Surprizoni partnerin me qirinj -të kuq apo aromatik- të ndezur ku do nëpër shtëpi. Ka diçka romantike mes flakës së qiriut dhe aromës së ëmbël që lëshon djegia e parafinës, pikërisht atmosfera e duhur romantike që të duhet këtë mbrëmje.

Ndiz televizorin, vendos filmin tuaj të preferuar, rrëmbe dy gota vere dhe shijoni shoqërinë e njëri-tjetrit, pa qenë nevoja e gjesteve të mëdha romantike.

Kornizat e fotografive mbeten një dhuratë e përjetshme për çdo çast dhe mënyra më e mirë për të ruajtur kujtimet tuaja së bashku. Një foto e juaja domethënëse apo një kolazh i disa prej momenteve më romantike, mund të jetë një gjest modest, por mjaft domethënës për ruajtjen dhe zhvillimin e ndjenjave në çift.

Nëse dëshiron ta shpërndash atmosferën e ngrohtë e romantike dhe në pjesën tjetër të shtëpisë mund të fillosh duke shtruar krevatin me çarçafë dhe mbulesa të kuqe. Petalet e trendafilit të hedhura mbi shtrat janë një detaj në dukje i thjeshtë, por mjaft i rëndësishëm.

Të rëndësishme gjithashtu janë dhe tekstilet e banjos si peshqirët apo robdishanët të cilët ashtu të rinj - të kuq ose jo-, janë një surprizë e këndshme për partnerin.

Kështu, me pak mund, por me shumë dashuri, je gati për të festuar një mbrëmje të këndshme pranë personit tënd të zemrës. Sepse dashuria duket në detaje. Gëzuar!