Një muaj plot drita dhe shkëlqim kaloi pa kuptuar dhe në çdo shtëpi pema festive qëndron akoma e vendosur, edhe pse e zbehur tashmë nga magjia e festave. Është data 6 Janar dhe siç e do tradita, ka ardhur koha për të hequr pemën!

Në fakt është një diskutim i gjatë nëse pema duhet të hiqet në datë 6 Janar apo më vonë. Ka nga ata që preferojnë ta mbajnë pemën në shtëpitë e tyre nga 6 Dhjetori deri në 6 Janar, për të plotësuar kështu një muaj të plotë festiv. Megjithatë shumë prej nesh, kërkojnë më shumë kohë nën zbukurime dhe drita festive. Sidoqoftë një numër i madh njerëzish paketojnë pemën pikërisht në këtë ditë.

Të heqësh pemën dhe të merresh me zbukurimet një e nga një është punë mjaft impenjative, e cila përtej motivimit (i cili këtë fund festash është me pakicë) kërkon edhe mjaft hapësirë magazinimi në shtëpi. Preferencat tona për pemë sa më të mëdha kanë dhe anët e tyre negative!

Duke qenë se pema do të qëndrojë 11 muaj në pritje për t’u vendosur, duhet të gjesh një vend të përshtatshëm për të. Dhe nëse shtëpia nuk ka shumë hapësira të mëdha magazinimi, të duhet një zgjidhje e zgjuar! Ne po të tregojmë disa hapa të thjeshtë se si të magazinosh të gjitha dekorimet e tua festive.


Si gjithmonë puna fillon nga fundi i pemës. Për të mos i thyer dekorimet poshtë pemës gjatë zhveshjes së saj, vendosini ato brenda kutive plastike të magazinimit. Ne gjithmonë preferojmë të përdorim kuti transparente, për të dalluar çdo gjë brenda kutive pa qenë nevoja ti hapësh ato një e nga një.

Më pas vjen pjesa më delikate. Duhet të kesh shumë kujdes me globat dhe lulet zbukuruese pasi janë objektet më të brishta të pemës. Mirë është që të gjitha paketimet e globave ti kesh ruajtur, por edhe nëse nuk i ke paketimet mund ti mbështjellësh ato me letra kuzhine, gazeta të vjetra apo dhe ti vendosësh ato me kujdes në fund të kutive plastike.


Tashmë në pemë na mbeten vetëm dritat. Për ta patur më të lehtë heqjen e tyre dhe për ti dalluar më lehtë në degët e pemës, mbaji të ndezura. Ashtu si për globat apo lulet, edhe dritat kërkojnë kutinë e tyre të veçantë të magazinimit. Kutive të magazinimit është mirë që ti shkruash lart emërtimet përkatëse. Kështu do ta kesh më të lehtë të dallosh njërën kuti nga të tjerat. Në këtë mënyrë i ruajmë mirë të gjitha zbukurimet për vitin e ardhshëm.


Po pemës si do ia bëjmë?

Edhe për pemën kemi një zgjidhje mjaft efikase! Kjo kuti magazinimi është mjaftueshëm e madhe për pemën e shtëpisë, si dhe përshtatet mjaft mirë me çdo ambient pa rënë në sy. Ajo madje mund të zëvendësojë dhe një stol apo ulëse, pasi askush nuk do të kuptojë çfarë ka brenda sunduku i zakonshëm gri.

Në fund, rrëmujën e madhe plot shkëlqim e xixa në tokë e pastrojmë me një fshesë me vakum.

Tashmë presim me mall sezonin tjetër festiv!