Olimpiada e aftësive profesionale 2014 realizuar nga Megatek

Në kuadër të veprimtarive për lidhjen dhe bashkëpunimin me biznesin si dhe për promovimin e arsimit profesional, me nismën e Megatek, dhe mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), e partnerëve të tjerë si GIZ, SWISSCONTACT, VODAFONE, u organizua “Olimpiada e Aftësive Profesionale” 2014, aktiviteti vjetor më i madh për arsimin profesional në Shqipëri. Ky aktivitet u financua tërësisht nga Megatek dhe partnerët e tij.

Aktiviteti përfshiu konkurimin për kompetencat profesionale, të drejtimeve dhe profileve të ndryshme, ndërmjet nxënësve të shkollave  të mesme profesionale, ku ata demonstruan aftësitë, shkathtësitë dhe shprehitë teoriko-praktike, si dhe kompetencat kyçe që nxënësit kanë fituar gjatë gjithë viteve të shkollimit. Pjesëmarrësit gjithashtu u njohën me mjediset, materialet dhe pajisjet bashkëkohore, që kompania Megatek ofron dhe shpërndan në treg.

 Ky është projekti më i madh në Shqipëri, i cili bashkoi biznesin, qeverinë dhe organizatat jo fitimprurëse në një iniciativë të përbashkët, që mbështet arsimin profesional. Konkursi u zhvillua në mjediset dhe hapësirat e Megatek, ku shkollat sipas profileve u përfaqësuan me ekipe prej 5 nxënësish, të klasave të 12-ta dhe 13-ta të përzgjedhur nga vetë ato.

Specialistët e fushave hartuan testet teorike dhe praktike duke u mbështetur në programet mësimore përkatëse, si dhe në informacionet e reja të siguruara nga ekspertët e kompanisë gjatë trajnimeve të kryera paraprakisht. Vlerësimi i ekipeve u krye nga një komision i përbashkët me specialistë të fushës (Megatek dhe partnerë të tij) si dhe ekspertë të AKAFPK-së në bazë të kritereve dhe specifikimeve të vlerësimit të hartuara dhe të njohura nga pjesëmarrësit në konkurim.

Konkursi “Olimpiada e Aftësive Profesionale” 2014, u realizua në katër faza:

 

  • Faza e I: Prezantimi i projektit “ Olimpida e Aftësive Profesonale” në 24 shkollat e mesme profesionale, që ofrojnë kualifikime në drejtimet:

  Termohidraulikë                    

  Ndërtim                                   

  Bujqësi (Kopshtari)                 

  Përpunim Druri                       

  Elektroteknikë                        

 

Prezantimi u krye nga grupe specialistësh dhe ekspertë të profileve të ndryshme të Megatek dhe të AKAFPK sipas një grafiku të përcaktuar në periudhën 11-26 Mars, me fokusin ne mënyrat e organizimit dhe fazat e zhvillimit të trajnimit dhe konkurseve.

  • Faza e II: Trajnimi i pjesëmarrësve të konkursit sipas profileve nga ekspertë të huaj të angazhuar nga kompania Megatek, në lidhje me informacionet e reja bashkëkohore si dhe metodologjinë e vlerësimit në fushat e mësipërme.

Sipas një kalendari, 24, 27, 31 Mars dhe 3, 7 Prill grupet e nxënësve të përzgjedhur për çdo shkollë e çdo profil së bashku me mësuesin shoqërues, realizuan trajnimin Teorik – Praktik (1 ditor) në mjediset e kompanisë Megatek, me specialistë të fushave të ndryshme, partnerë të tij si dhe specialistë të AKAFPK.

  • Faza e III: Konkursi teorik

U zhvillua në Megatek më datë 29 Prill për të gjitha shkollat. Testi i teorisë përbënte 30% të vlerësimit total dhe përmbante njohuri dhe kompetenca të programit mësimor si dhe informacione të marra gjatë trajnimit.

  • Faza e IV: Konkursi praktik

Faza finale u realizua me një detyrë praktike e cila fokusohej në përzgjedhjen e veglave, mjeteve, materialeve të punës kryerjen dhe leximin e skicave, llogaritjet ekonomike si dhe zbërthimin, montimin dhe funksionin e pajisjeve, sipas drejtimeve përkatëse duke ju përmbajtur procedurave, standarteve të cilësisë, estetikës, punës në grup dhe kohës së përmbushjes së tyre. Detyra praktike zinte 70%, të vlerësimit total për të gjitha drejtimet dhe profilet.

Në datën 2 Maj, në të cilën u zhvillua detyra praktike, konkurruan 38 ekipe nxënësish me nga 5 vetë që u mbështetën nga rreth 1000 nxënës, mësues, drejtues shkollash dhe prindër pothuajse nga të gjitha shkollat profesionale të të gjitha rajoneve të Shqipërisë. Aktiviteti u përshëndet edhe nga drejtues të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Agjensisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, si dhe nga donatorët mbështetës të aktivitetit.

Në fazën finale, pas përfundimit të vlerësimit u shpallën dhe shkollat fituese. Çmimi i parë, prej 3000 Euro u fitua nga:

  • Shkolla “Beqir Çela”, Durrës, për drejtimin “Termohidraulikë”
  • Shkolla e ndërtimit “Kol Idromeno”, Shkodër për drejtimin “Ndërtim”
  • Shkolla Bujqësore, Kamëz  për drejtimin “Bujqësi” (profili “Kopshtari”)
  • Shkolla “Karl Gega”, Tiranë për drejtimin “Përpunim Druri”
  • Shkolla Elektrike “Gjergji Canco”, Tiranë për drejtimin “Elektroteknikë” (profili “Instalime elektrike civile dhe industriale”)

Çmimi fitues prej 3000 Euro do të akordohet nga kompania Megatek në formën e blerjes së materialeve të punës të profilit përkatës, duke u bazuar tek një projekt i propozuar dhe hartuar nga vetë shkollat fituese, të cilat do ti ndihmojnë ato për kryerjen me cilësi të praktikave profesionale.

Shkollat të cilat u shpallën fituese të vendeve të dyta dhe të treta, u pajisën me certifikatat përkatëse por gjithashtu edhe të gjithë nxënësit pjesëmarrës në konkurim u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje.

Pra, në një kuptim, të gjithë pjesëmarrësit ishin fitues!

Copyright © 2022 MEGATEK // All rights reserved